Në ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar popullin amerikan duke propozuar që kjo datë të shpallet festë shtetërore në Kosovë.
“Amerikë, urime ditëlindjen! Je gjithmonë inspirim për ne. Do të ishte në nderin e Kosovës që 4 Korriku të shpallet festë shtetërore”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Haradinaj uron pavarësinë e SHBA-së, kërkon që 4 korriku të shpallet festë shtetërore
“Ndaleni marrëzinë në veri “ – Klinton porositë Kurtin
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, gjatë fjalës në ceremoninë në nder të tij në Tiranë shprehu shqetësimin për situatën në veri të Kosovës.
Clinton i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të tërhiqet dhe t’i tregojnë botës si duket një e ardhme gjithëpërfshirëse, duke iu referuar të drejtave të pakicave serbe në Veri.
“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për t’u dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se kanë bërë një gabim që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të krijohet duke pasur këtë tension, qytetarët ka nevojë që t’u thuhet u duhet të votojnë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern shkencor, ku modelohet sjellje që po e nxit botën sot, pasi drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje t’i tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithëpërfshirëse”, – tha Clinton.
Qytetarët mbështesin veprimet e Kurtit në veri, ja çfarë fjalë kanë për kryeministrin
Qytetarët e Mitrovicës po i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri. Ata thonë se prezenca e shtuar e policisë në atë pjesë, pastaj arrestimet dhe veprimet tjera në veriun e vendit, janë në kuadër të Kushtetutës dhe mandatit ligjor, si dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Sipas tyre, qeveria edhe në planin ndërkombëtarë është duke vepruar drejt, sepse veprimet e saj janë në interes të përgjithshëm.
Banori i Mitrovicës, Nazmi Fejza thotë për KosovaPress se Kosovës më në fund po i vie era shtet.
Ai shprehet se është ithtar i flakët i zbatimit të ligjit dhe sipas tij, kushdo që nuk dëshiron ta respektojë ligjin, duhet të përgjigjet.
Asnjëri që mban pozita politike, shtoi ai, nuk duhet të jetë servil ndaj askujt, qofshin ata edhe ndërkombëtarët, sepse siç tha ai, duhet të mbrohen interesat e shtetit në radhë të parë.
“Është duke i ardhur era Kosovës shtet, për shkak se ka filluar më në fund të zbatohet ligji…Ata që duan të jetojnë në Kosovë duhet ta respektojnë shtetin dhe ligjet e Kosovës. Ata që nuk duan ta respektojnë ligjin dhe kushtetutën, duhet të përgjigjen… Unë jam ithtar i flakët i zbatimit të ligjit. Çdo pushtetar, qoftë ekzekutiv, qoftë legjislativ, i cili e zbaton ligjin, e ka përkrahjen time të parezervë… Nuk duhet asnjë qytetar që ka pozita politike, të jetë servil ndaj askujt. Duhet t’i mbrojë interesat e shtetit, sepse për këtë arsye janë zgjedhur. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më realiste… sepse nuk kanë të drejtë që janë duke u pozicionuar gabueshëm… Kosova është projekt i perëndimit, projekt amerikan dhe një produkt të veten, Amerika asnjëherë nuk e shkatërron dhe rrezikon”, thotë Fejza.
Mitrovicasi tjetër, Esat Azemi i quajti të drejta veprimet e qeverisë në veri të Kosovës, duke thënë se i mbështet plotësisht ato.
Sipas tij, duke i dëgjuar ndërkombëtarët, krerët e UÇK-së sot ndodhen në Hagë, ndërsa shteti i Kosovës ka humbur mijëra hektarë tokë.
“Sigurisht që i mbështesim, sepse qeveria është dukë vepruar vetëm sipas kushtetutës… Këto adete na i kanë mësuar e bërë ndërkombëtarët, e tash cka po duan, pse mos me vepru, pse mos me arrestu një kriminel… Duke i dëgjuar ndërkombëtarët shkuam në Hagë, Maqedonia na i mori disa hektarë tokë, edhe në Mal të Zi 8 mijë e 200 hektarë… Unë falënderoj Zotin që i ka dhuru Kosovës një njeri si Albin Kurti”, thekson Azemi.
Ndërkaq, Nuredin Dinarama, duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në veri, potencon se ajo nuk ka qenë asnjëherë më e mirë sesa tani.
Ai apelon te të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe ta mbështesin kryeministrin Kurti, edhe nëse Kosova sanksionohet.
“Situata kurrë s’ka qenë më e mirë… Sigurisht që po (i mbështes veprimet e qeverisë). Këto janë banda kriminale… Opozitë e të gjithë çka janë duhet me përkrahë, me qenë në një rrugë, me ja ndihmu. Kurrë punët më mirë s’i kemi pasur… Në të gjitha komunat po valëviten flamujt e Kosovës, siguria është në nivel, që kurrë s’ka qenë… Po ata (ndëkombëtarët) kurrë s’na kanë përkrahur,… O ne t’bëhet se më fukarallëk nuk bëhet. Janë njerëz të vendosur, deri në fund kemi me shku kismet prej Zotit”, thotë ai.
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Emir Azemi shprehet për KosovaPress se Policia e Kosovës në veri është duke ushtruar mandatin e saj ligjor në të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Ai kujton se në të kaluarën qytetarët e asaj pjese kanë qenë të rrezikuar për vite të tëra nga grupe të caktuara ekstremistësh, andaj thotë, prezenca e policisë atje është e domosdoshme.
Sipas tij, Kosova nuk duhet në asnjë mënyrë të konfrontohet me faktorin ndërkombëtarë, por duhet që ata t’i bindë me argumente se veprimet e qeverisë në atë pjesë janë në interes të stabilitetit të përgjithshëm.
“Policia e Kosovës në veriun e Kosovës është duke ushtruar mandatin e saj ligjor në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie, sepse në ditët dhe muajt e kaluar (qytetarët) kanë qenë të rrezikuar nga grupe të caktuara ekstremiste, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në veriun e Kosovës tash e shumë vite… Serbët në veri për shumë vite e kanë keqpërdorur në njëfarë forme të vrazhdë prezencën e faktorit ndërkombëtarë. Sa herë kanë dashur të bëjnë probleme ose të shtyjnë proceset, ata kanë shkaktuar incidente, pastaj faktori ndërkombëtarë i ka shtyrë proceset me muaj e vite. Mos harroni se jemi 23 vite pas luftës dhe ende ura është e bllokuar. Kjo nuk nënkupton që ne të konfrontohemi me faktorin ndërkombëtarë, por ne faktorit ndërkombëtarë duhet t’ia argumentojmë se veprimet tona në veri janë në interes të stabilitetit të përgjithshëm, të ruajtjes së paqes, sigurisë, jetës dhe pronës së qytetarëve të Republikës së Kosovës… dhe assesi nuk janë kundër qytetarëve serbë të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës”, sqaron Azemi për KosovaPress.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.
Ndërkaq, më (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.
Kryediplomati Osmani: Rama i ka qëllimet e mira, eskalimi s’mund të vazhdojë
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka komentuar situatën e fundit në Kosovë dhe propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi të organizohet një konferencë ndërkombëtare.
Osmani tha se në një mënyrë takimi në Ohër ishte konferencë ndërkombëtare.
“Takimi në Ohër ishte në një mënyrë konferencë ndërkombëtare dhe mendoj që Ohri dha rezultat në bazë të marrëveshjes së arritur, e dëshmoi se ndoshta është pak më efektiv kur ndodh në rajon ose s’postohet nga Brukseli për shkak se i jep një dimension pak më pak administrativ këtij procesi. Mendoj që çdo forma tjetra që mund të rrisin ndikimin, efektivitetin e këtyre takimeve është i mirëseardhur. Ajo çfarë ne ndajmë me Shqipërinë është se vërtet nuk mundet të vazhdojë kështu ky eskalim i situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, për shkak se kjo po mban peng tërë rajonin. Kujtojmë që e kemi obligimi si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut si dy vende fqinje me Kosovën dhe Serbinë për të kontribuar jo vetëm në deskalim por në normalizim të raporteve dhe ju e dini që qëndrimi ynë që ky normalizim nënkupton njohjen e ndërsjellët në mes të dy shteteve”, ka thënë ai.
Më tutje ai ka ndarë përvojën e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se është një shembull që mund ta ndjek edhe Kosova.
“Unë isha në Prishtinë në ditën kur filloi kjo situatë në veri të Kosovës. Isha në rolin e kryesuesit të OSB-së dhe ajo çfarë e thashë paraprakisht, mendoj që mesazhi më i mirë që mund ta dërgojë në Kosovë dhe Serbi është ta përcjell eksperiencën tonë. Kjo për shkak se ne kemi kaluar në shukmë vështirësi dhe kemi bërë shumë gabime në të kaluarën. Po flas si shtet, duke u izoluare për 20 vite nga komuniteti ndërkombëtar, me gjitha pasojat e mundshme që i ka pasur shteti gjatë asaj periudhe. Tani nga 2017 pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës, marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, unë jam sot kryesues i OSBE-së, jemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi filluar bisedimet me BE-në”, deklaroi Osmani.
Ngjarje e rëndë në Fushë Kosovë, raportohet se një grua tentoi ta hedh nga ballkoni djalin e saj 6-vjeçar
Një grua në Fushë Kosovë ka tentuar që ta mbysë fëmijën e saj 6-vjeçar. Mediat vendore raportojnë se ekipet emergjente kanë ndërhyrë në momentet e fundit para se ajo ta hidhte nga ballkoni i banesës fëmijën e saj.
Tutje bëhet e ditur se gruaja që tentoi ta kryej këtë veprim, vuan nga sëmundje të shëndetit mendor.
Sipas Gazetës Express, gruaja jeton vetëm me fëmijën e saj.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë detaje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
PDK-ja e LDK-ja mobilizohen për “rrugën përpara pa Kurtin”
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar mobilizime partiake e me akterë të tjerë si përgjigje për “situatën në të cilën gjendet vendi”.
Duke e akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti se po e izolon Kosovën dhe se po ia humb përkrahjen ndërkombëtare, krerët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë paralajmëruar “rrugë të re përpara”.
Lideri i PDK-së të premten ka thënë se në këtë periudhë, kur Kosova po përballet me sanksione nga ndërkombëtarët për shkak të çështjes së veriut, “ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë”.
Ai ka paralajmëruar se pas “mbi 150 takimeve” gjithandej vendit, ka ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së. Ka deklaruar se kjo mbledhje do të jetë për gjendjen e rëndë në vend dhe për “rrugën që është para nesh”.
“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook për paralajmërimin për mbledhjen e KD-së së PDK-së.
Një ditë më parë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar mobilizim tjetër. Ai ka thënë se do të ftojë akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, media e opinionistë për të ndërtuar “rrugën e vërtetë”. Ai ka thënë se “Kosova ka rrugë të re”, e në të sipas tij, “nuk ka Albin Kurtin”.
“Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, ka shkruar ai duke kërkuar “ndihmën e të gjithëve”.
“Do t’ua prezantoj edhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka vazhduar Abdixhiku.
Pavarësisht deklarimeve në Facebook, mocioni i mosbesimit, i iniciuar nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka marrë mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së. Ditë më parë, kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i ka akuzuar të dyja partitë për mospërkrahje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Gjuha e opozitës ndaj Qeverisë është ashpërsuar pas qëndrimeve kritike e paralajmërimeve të sanksioneve nga ndërkombëtarët ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në veri. Që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj të komunave në katër komunat veriore, në objektet komunale. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre policë të Policisë së Kosovës.
Pas tensioneve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ftuan për takim urgjent në Bruksel, por Vuçiqi refuzoi takim trepalësh.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës. Të premten, në një samit të BE-së në Bruksel është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë “pasoja negative”.
PDK-ja kërkon pozitën e kryesuesitnë Prishtinë
Partia Demokratike në Prishtinë po kërkon pozitën e kryesuesit të cilën deri në dorëheqjen e Fehmi Kupinës nga partia, e mbante Lidhja Demokratike e Kosovës.
Është PDK-ja që i mori Vetëvendosjes asamblisten, Berna Saraçi, dhe ia ktheu pushtetit shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Për këtë, PDK-ja kërkon më shumë “hise” në bashkëqeverisjen me LDK-në e Lumir Abdixhikut.
Që PDK-ja po e kërkon postin e kryesuesit e ka konfirmuar Leutrim Retkoceri, shef i grupit të këshilltareve komunalë të kësaj partie. Retkoceri ka thënë se ende nuk e kanë një emër dhe se janë në bisedime me partnerin e koalicionit për këshilltarin komunal që do ta udhëheqë Kuvendin Komunal.
Në seancën e fundit të kuvendit komunal përveç Saraçit me pushtetin qëndruan edhe Endrit Zabërgja i Nismës dhe Sami Boroci i AKR-së. Vetë Boroci e ka konfirmuar që është në bisedime me LDK-në, por që ende qëndron anëtar i AKR-së. Madje Boroci i është bashkuar pushtetit edhe në shkarkim të vetës si aksionar në ndërmarrjet publike nga lista e opozitës.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se nuk kanë zgjedhur aksionarë të rinj pasi që vetëm e kanë anuluar vendimin e 8 qershorit të cilin e cilësoi si të jashtëligjshëm. Zogaj nuk ka treguar nëse do të pajtohen me PDK-në për pozitën më të lartë në Kuvendin Komunal, atë të kryesuesit.
Derisa Fehmi Kupina është shkarkuar nga pozita e kryesuesit dhe deri në zgjedhjen e një të riu, mbledhjet do të udhëhiqen nga Ajet Brajshori i LDK-së.
Rama për muxhahedinët: S’mund ta përdorin Shqipërinë si llogore të luftës së tyre
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për opozitën iraniane MEK që pas operacionin e policisë në kampin Ashraf në Manzë.
Në një intervistë për median gjermane Der Spiegel, Rama është shprehur se ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike.
Sipas Ramës, mysafirët iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje, por nuk do të lejohen ta përdorin Shqipërinë si llogore të luftës së tyre.
“E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria”, është shprehur Rama për median gjermane.
Apeli i gazetares: Kosova s’do gjejë qetësi po nuk dëgjoi SHBA-të…
Kozeta Turishta gazetare shqiptare në SHBA tha në një intervistë për Euronews Albania se situata në Kosovë është mjaft shqetësuese për Amerikën.
Ajo tregoi se çështja e Kosovës ka shkuar deri në Kongresin Amerikan, ku senatorët kanë kërkuar një tryezë me aleatët ndërkombëtare që të diskutojë lidhur me konfliktin aktual mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është mjaft shqetësuese për Amerikën sa është diskutuar edhe në Kongres. Kanë qenë vetë senatorët që i kanë bërë thirrje përmes një letre që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë lidhur me Kosovën, të bëhen palë edhe me aleatë të tjerë ndërkombëtarë. Vetëm një konferencë e përbashkët ndërkombëtare është zgjidhja, në të kundër Serbia me Kosovën nuk do gjejë qetësi. Dihet roli i Amerikës në pavarësinë e Kosovës dhe janë 600 trupa ushtarake të KFOR në Kosovë. Ashtu sikurse liderët e Bashkimit Evropian që kanë kundërshtuar veprimet e Kurtit. Zgjidhja më e mirë është që serbët të kthehen në institucione dhe Kosova të shpallë zgjedhje të reja”, tha gazetarja.
“Zgjodhi Tiranën sepse SHBA e konsideron kryeqytetin e Ballkanit”- Analisti për vizitën e Clintonit
“Për Ballkanin Perëndimor, Tirana është absolutisht qyteti më i besueshëm”. Ishte kjo deklarata e juristit Kreshnik Spahiu në një intervistë për Euronews Albania.
Ai komentoi se prania e Bill Klinton në Tiranë më 4 korrik vjen si pasojë e balancës që ka ruajtur Shqipëria në krizat rajonale.
