PDK-ja e LDK-ja mobilizohen për “rrugën përpara pa Kurtin”

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar mobilizime partiake e me akterë të tjerë si përgjigje për “situatën në të cilën gjendet vendi”.
Duke e akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti se po e izolon Kosovën dhe se po ia humb përkrahjen ndërkombëtare, krerët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë paralajmëruar “rrugë të re përpara”.
Lideri i PDK-së të premten ka thënë se në këtë periudhë, kur Kosova po përballet me sanksione nga ndërkombëtarët për shkak të çështjes së veriut, “ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë”.
Ai ka paralajmëruar se pas “mbi 150 takimeve” gjithandej vendit, ka ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së. Ka deklaruar se kjo mbledhje do të jetë për gjendjen e rëndë në vend dhe për “rrugën që është para nesh”.
“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook për paralajmërimin për mbledhjen e KD-së së PDK-së.
Një ditë më parë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar mobilizim tjetër. Ai ka thënë se do të ftojë akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, media e opinionistë për të ndërtuar “rrugën e vërtetë”. Ai ka thënë se “Kosova ka rrugë të re”, e në të sipas tij, “nuk ka Albin Kurtin”.
“Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, ka shkruar ai duke kërkuar “ndihmën e të gjithëve”.
“Do t’ua prezantoj edhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka vazhduar Abdixhiku.
Pavarësisht deklarimeve në Facebook, mocioni i mosbesimit, i iniciuar nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka marrë mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së. Ditë më parë, kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i ka akuzuar të dyja partitë për mospërkrahje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Gjuha e opozitës ndaj Qeverisë është ashpërsuar pas qëndrimeve kritike e paralajmërimeve të sanksioneve nga ndërkombëtarët ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në veri. Që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj të komunave në katër komunat veriore, në objektet komunale. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre policë të Policisë së Kosovës.
Pas tensioneve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ftuan për takim urgjent në Bruksel, por Vuçiqi refuzoi takim trepalësh.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës. Të premten, në një samit të BE-së në Bruksel është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë “pasoja negative”.

spot_img
Lajmet e fundit
Lajme të lidhura