Ballina Blog Faqe 13

Djali i Smajl Hajdarajt tregon dyshimet për vrasjen e babait, përmend “binomim SHIK-UDB”

0

Shpëtim Hajdaraj, djali i veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Smajl Hajdaraj, është i ftuar në “Pressing” të T7, ku po rrëfen për vrasjen e babait të tij më 17 janar 2002.

Ai ka thënë se nuk mund të përmend emra, pasi beson që është një vendim paraprak politik që ka vendosur për vrasjen e babait të tij, Smajl Hajraraj.

Por dyshimet e tij janë për siç e quan ai “binomi SHIK-UDB”.

“Duhet me fillu nga kush e krijoi këtë frymë vëllavrasje. Normalisht dyshimet shkojnë te këta. Tash se cili është roli i secilit individ, këtu nuk ka qenë çështje e një individi që iu ka tek me vra Smajlin. Ka qenë një vendim më i lartë, që unë e quaj ka qenë një lloj binomi SHIK-UDB, ka pas elemente brenda saj”.

“Atyre pjesëtarëve të  SHIK’ut nuk iu ka tek me ardh me vra Smajlin. Unë besoj dhe mendoj logjikshëm se ka qenë një vendim paraprak politik. Tash unë nuk mund të them valla ky person e ka marrë atë vendim, sepse mendoj që ka pasur një rreth më të gjerë të njerëzve”, ka thënë ai.

Presidenti i Izraelit: marrëdhëniet me Arabinë Saudite kyçi për dhënien fund luftës në Gazë

0

Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite është elementi kyç për t’i dhënë fund luftës me Hamasin dhe që do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Lindjen e Mesme, tha presidenti izraelit Isaac Herzog të enjten, në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në qytetin zvicerian Davos.

“Është ende delikate dhe mund të dojë kohë, por mendoj se është realisht një mundësi për të ecur përpara në botë dhe në rajon drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha zoti Herzog.

Deklarata vjen pak ditë pasi ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal bin Farhan, tha në një takim në Davos se mbretëria saudite bie dakort që “paqja rajonale përfshin paqen për Izraelin”. Ai tha se Arabia Saudite “me siguri” do ta njihte Izraelin në kuadrin e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

“Por kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet paqes për palestinezët, nëpërmjet një shteti palestinez”, tha ai.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti gjatë një takimi në Davos se zgjidhja për një shtet palestinez mund të ndihmonte për të përmirësuar sigurinë e Izraelit dhe marrëdhëniet e tij me vendet e tjera në rajon.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij e djathtë janë megjithatë kundër konceptit të një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.

Presidenti izraelit Herzog, posti ceremonial i të cilit i shërben unitetit të kombit, tha se mbështetja për këtë ide nga publiku është e ulët, pasi izraelitët e traumatizuar janë të përqendruar tek siguria e tyre pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor. Ai tregoi fotografinë e Kfar Bibas, izraelitit më të vogël që mbahet peng në Gazë, i cili mbushi një vjeç të enjten.

“Kur vendet dalin me propozimin për një zgjidhje ‘me dy shtete’, ato duhet të përballen fillimisht me një pikëpyetje paraprake, që është një pikëpyetje themelore për qeniet njerëzore: A po na ofrohet siguri e vërtetë?”, tha zoti Herzog. “Izraelitët e humbën besimin tek procesi i paqes, sepse panë që terrori lartësohet nga fqinjët e tyre”.

Zoti Herzog theksoi edhe pasojat globale të sulmit në Izrael të Hamasit, që ai tha se është vetëm një ndër veglat e “perandorisë së të keqes që vjen nga Teherani”.

Ndërsa vazhdon konflikti në Gazë, Irani ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj atij që e quan operacion të zbulimit izraelit në Irak, si dhe bëri sulme në Pakistan dhe Siri. Rebelët e mbështetur nga Irani në Jemen, të njohur si huthitë, kanë ndërprerë gjithashtu transportin global detar me sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq, që morën në përgjigje sulme nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

“Çështja e huthive është e përparësisë numër një, pasi rrit kostot e jetesës për çdo familje në univers, një grup i vogël prej 50 mijë personash, e furnizuar me armë nga një perandori”, tha zoti Herzog.

Të mërkurën në Davos, ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian këmbënguli se sulmi iranian në Irak, si dhe ndaj një baze militantësh në Pakistan, janë në kuadrin e së drejtës së vendit të tij për t’u vetëmbrojtur. Ai gjithashtu akuzoi Izraelin për “gjenocid” në fushatën ndaj Hamasit, që ka vrarë mijëra civilë palestinezë.

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani gjithashtu dënoi luftën në Gazë gjatë takimeve në Davos të enjten, duke thënë se “komuniteti ndërkombëtar ka dështuar”.

Por zoti Sudani u përpoq të balancojë qëndrimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke thënë se Iraku ka “interesa” dhe “partneritet strategjik” me të dyja vendet. Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për tërheqjen nga Iraku të forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se prania e tyre nuk është më e justifikuar, pasi grupi Shteti Islamik “nuk është më një rrezik për popullin irakian”.

Udhëheqësit irakianë dhe izraelitë tërhoqën vëmendjen kryesore të enjten ndër aktivitetet e shumta në Davos, ku janë mbledhur udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave dhe përfaqësues të tjerë të elitave.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve “mund të duket e largët tani, por mund të jetë më e afërt nga ç’mendojmë”.

“Shumë njerëz që e përkrahën këtë ide janë tashmë më të shqetësuar për periudhën afatgjatë, se pa këtë zhvillim do të kemi një përshkallëzim të vazhdueshëm të dhunës”, tha ai.

Aktivitetet katërditore në forumin e Davosit, që është kritikuar si një forum ku flitet për ide të mëdha por pa dhënë zgjidhje, kanë trajtuar një gamë të gjerë tematikash, si ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale, një teknologji kjo që mund të ofrojë shanse zhvillimi për ekonominë, por edhe rreziqe.

Sam Altman, drejtor ekzekutiv i kompanisë OpenAI që prodhoi programin e inteligjencës artificiale ChatGPT, mori pjesë në aktivitetet në Davos, pas problemeve në drejtimin e kompanisë vitin e kaluar. Gjatë një takimi për teknologjinë, ai u përball me pyetje për këtë dhe për një padi të ngritur nga gazeta The New York Times, që kërkon t’ia ndalojë kompanisë OpenAI përdorimin e artikujve të kësaj gazete për të përmirësuar programet e dialogimit robotik nëpërmjet inteligjencës artificiale.

Gjatë një mëngjesi pune të organizuar në kuadrin e forumit të enjten, diskutimi u përqëndrua tek lufta e Ukrainës ndaj Rusisë. Presidenti polak Andrzej Duda bëri thirrje që fondet ruse të ngrira në bankat perëndimore të përdoren për Ukrainën.

Ai tha se 60 miliardë dollarët e caktuar për rindërtimin e Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe 54 miliardë të caktuara nga Bashkimi Evropian janë “jetike”.

Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të përmbushin dërgimin e ndihmave, të cilat kanë ngecur, si dhe aleatëve që të rikujtohen se të marra së bashku ekonomitë e tyre janë 25 herë më të mëdha se ekonomia e Rusisë.

“Na duhet vetëm ta demonstrojmë fuqinë tonë ekonomike, të lëvrojmë fondet, dhe do të jemi në gjendje ta ndihmojmë Ukrainën që t’i japë fund kësaj”, tha zoti Cameron, i cili pati edhe një takim me ministrin e Jashtëm të Iranit në Davos.

Të enjten udhëtoi drejt Davosit edhe bashkëshorti i nënpresidentes amerikane Kamala Harris, Doug Emhoff, për të marrë pjesë në diskutimet për antisemitizmin, islamofobinë dhe formave të tjera të urrejtjes. /VOA

Era ia fluturoi kulmin objektit të Komunës, Rama: Të hetohet rasti

0

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës,  ka reaguar pas dëmtimit të një pjese të kulmit të objektit të Komunës së Re si pasojë e erërave. Një vajzë ka mbetur e lënduar.

Rama përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.

”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.

“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Rama të enjten.

Në tension të lartë për rrymën – opozita kërkoi rezolutë, pushteti përgjigjet duke dhënë lajmin për subvencione

0

Kuvendi është mbledhur sot për të shqyrtuar një rezolutë të opozitës, përmes së cilës po kërkohet anulimi i vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe heqja e bllok tarifës. Në orën që ishte paraparë të fillonte seanca, Ministri i Financave, Hekuran Murati, u lajmërua në Facebook, duke dhënë lajmin se ministria do të japë subvencione për kategoritë e cënueshme. Rezoluta e PDK’së u cilësua si “koti” nga Ministrja Artane Rizvanolli. Ajo tha se Kosova ka çmimin më të lirë të rrymës në Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave. Akuzoi opozitën se po tenton t’i mashtrojë qytetarët. Përplasje pati mes Mimoza Kusarit dhe Hykmete Bajramit.

Ankesat e qytetarëve për faturat e larta të rrymës për muajin dhjetor i kanë bërë bashkë sot deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar një rezolutë për këtë punë. Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, por deputetët nuk u mblodhën deri gati pas një ore.

Pikërisht në kohën kur ishte paralajmëruar të fillonte seanca, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zgjodhi ta jepte një lajm që lidhet me temën që do të diskutonte Kuvendi, sikur për ta larguar vëmendjen.

Ai njoftoi se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cënueshme.

“40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike. Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.”, shkroi Murati në Facebook. Ai sqaroi se subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cënueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Kuvendi nisi punimet me prezantimin e Rezolutës së PDK’së nga deputeti Ferat Shala. Përmes kësaj rezolute, u kërkua që të anulohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe heqja e bllok tarifës.

Pas tij, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, bëri një krahasim të çmimit të rrymës që e blen KESCO dhe çmimit që u faturohet pastaj konsumatorëve. Ai e quajti këtë plaçkitje.

“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë, pra kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kWh është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 përqind.  Nëse shkojmë mbi 800kWh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kWh shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kWh na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 përqind”, deklaroi Tahiri.

Një krahasim e bëri edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi. Ai tha se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

“Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.

Gashi kujtoi edhe vitin 2015 kur Vetëvendosje protestonte për ta kundërshtuar çmimin e lartë të energjisë.

“Sot me Kurtin në pushtet rryma është dyfish më e lartë se atëherë” tha Gashi.

Pas këtyre deklaratave, Ministrja Artane Rizvanolli, doli në foltore dhe tha se Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë në rajon dhe Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave.

Rizvanolli e cilësoi rezolutën e propozuar nga PDK’ja si “rezolutë koti”, derisa tha se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët, meqë çmimi i rrymës nuk ulet me të tilla metoda.

Duke folur për propozimin e PDK’së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.

Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.

“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.

Kritika ndaj ekzekutivit kishte edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai tha Qeveria Kurti për katër vjet mandat e rriti dy herë çmimin e energjisë për qytetarët dhe se riktheu gjendjen e para 20 vjeteve me reduktime.

“Është për të ardhur keq që edhe pse jemi në vitin 2024, që Kosova e ka krejt nëntokën e ka plot me qymyr, të flasim për reduktime, për cmime të larta të energjisë dhe probleme tjera që lidhen me energjinë. Kemi një qeveri që ka lanë anash sektorin e energjisë, nuk ka asnjë strategji dhe as veprime për ringjalljen e sektorit…Një Qeveri që u pagoi serbëve 115 milionë euro rrymë në kurriz të qytetarëve shtetas të Kosovës. Një qeveri që dy herë bëri rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët. Një qeveri e cila nga katër vite në pushtet, riktheu gjendjen e para 20 vjetëve me reduktime me muaj të tërë”, tha Lekaj.

Deklaratat e Rizvanollit nxitën edhe reagimin e Kreut të PDK’së, Memli Krasniqit. Ai deklaroi se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, tha Krasniqi.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, shtoi ai.

Nga PDK’ja reagoi edhe deputeti Rashit Qalaj, i cili tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike erdhi si shkak i keqmenaxhimit të KEK-ut nga Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i lidhur me LVV-në.

Qalaj tha në seancën e Kuvendit se Krasniqi qëllimisht zgjodhi “dështimin” për të blerë rrymë, siç tha ai “nga miqtë e bashkëpartiakut të tij, Martin Berishaj”.

“Rritja e çmimit ndodhi për shkak të keqmenaxhimit me asetet e KEK-ut nga partiaku juaj, z. Krasniqi, i cili kishte mënjanuar sugjerimet e ekspertëve profesionalë të KEK-ut për t’i riparuar blloqet me kohë dhe në mënyrë profesionale”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti tha se çmimi i energjisë është shtrenjtuar për 115 përqind, derisa drejtoi kritika për mungesën e investimeve për kapacitete të reja energjetike.

“E vërtetë është se mandati po kryhet. Nuk ka kapacitetetë reja energjetike dhe as nuk ka plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja. E vërteta është se çmimi i energjisë është shtrenjtuar 115%. E vërteta është se janë subvencionuar hotele, markete, ambasada, aeroporti dhe plot biznese tjera joesenciale”, tha Hoti.

“Tani ju mund të thoni që për 3 vjet nuk ndërtohet një termocentral i ri, por mund të fillohet. Do të duhej të kishte filluar brenda kësaj periudhe”, tha ai.

As në seancën e sotme nuk munguan përplasjet. Këtë herë përplasje kishte mes Shefes së Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lilës dhe deputetes së LDK’së, Hykmete Bajramit.

Gjithçka nisi kur Bajrami kërkoi që të flasin deputetët e pushtetit, pasi për Kusari-Lilën tha sa s’është pjesë e LVV-së.

“Ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në të kaluarën, ka qenë zëvendëskryeministre kur është privatizuar distribucioni dhe ka qenë anëtare e Komitetit të Privatizimit si ministre e Tregtisë atë kohë”, tha ndër tjerash Bajrami, duke iu referuar kryetares së Alternativës.

Deklaratën e Bajramit, Kusari-Lila e cilësoi shpifje.

“Është e vërtetë që qytetarët mbajnë mend, për atë e kanë sjellë Lidhjen Demokratike në 12%. Dhe në shpifjen e saj se unë kam qenë pjesë e të gjitha qeverive, po du me i thënë veç listoji në cilat qeveri kam qenë pjesë. Përveç njërës, unë kam qenë vetëm një herë në jetën time në një mandat qeverisës ministre, ti ke qenë në tri”, tha ajo, duke shtuar se partisë LDK-së ia kanë treguar vendin qytetarët.

Bajrami, në kundëreplikë, i tha Kusari-Lilës të dalë e vetme në zgjedhje “për me e pa ku e ke vendin”.

“Zonja Kusari, unë nuk shpifi. Qytetarët e dinë shumë mirë kush je ti. Për me e pa ku e ke vendin, urdhëro, del në zgjedhje e vetme, mos u kacavjerr nëpër listat e partive tjera. Për me e pa ku e ke vendin. Ashtu të matet vendi ty dhe unë e ti matemi. Vetëm kur të dalësh vetëm, kur të dalësh me Alternativën. Tregom kush e njeh një anëtar tjetër të Alternativës?”, tha ajo.

“Nuk ka parti politike të cilës nuk iu ke kavavjerrë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Kusari-Lilën e përmendi në fjalën e tij edhe ish-deputeti i VV’së, tash deputet i pavarur, Haki Abazi.

“Edhe sot ka Mimoza Kusari fytyrë me dalë me folë për suksese dhe pret mirëkuptim për Veriun që pas tri viteve, pas shpenzimit të 120 milionë eurove dhe me një kontratë me Elektroseverin. Bëjeni publike kontratën, ta shohim cila është marrëveshja me Elektroseverin. Pastaj flasim cili është suksesi aty. Mos u fsheh si në rastin e Komisionit Hetimor për Rezervat shtetërore”, ka thënë ai.

Abazi tha se qytetarët po përballen me varfëri energjetike dhe se shteti po menaxhon me këtë varfëri.

“Qytetarët po përballen me varfëri energjetike. Këtu ka menaxhim të varfërisë energjetike. Këtu përfundon debati i aspektit politik të qasjes juj. Dua të iu kujtoj se z.Edi Rama se në vitin e parë e ka kthyer sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ tek shteti. Në vend se të vajtoni, merrni kthejeni në pronësi të shtetit monopolin natyror të shpërndarjes së energjisë elektrike. Por s’jeni të interesuar”, ka shtuar ai.

Si zakonisht, opozitarët e përmendën ‘tregtarin e rrymës” Martin Berishaj, por në fund gjithçka përfundoi pa ndonjë efekt pasi në Kuvend nuk pati kuorum për ta hedhir në votim draftrezolutën.

Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

0

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se Qeveria që “s’po mund ta ngopë me bukë” popullit”, s’mund t’i bind ata për t’i mobilizuar për luftë.

Musliu tha në Kuvend se në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë FSK-në, raporton Gazeta Express.

“Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flasë në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, tha ajo, pasi lexoi mesazhin e një qytetari i cili ajo tha se ankohej se s’po mund t’i ushqejë familjarët, e lëre më t’i paguajë faturat e energjisë elektrike.

Musliu iu kërkoi qytetarëve që ta marrin guximin të protestojnë, ndërsa tha se kjo qeveri e meriton të rrëzohet “me dhunë”.

“Qytetarë të Republikës së Kosovës, nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin, kurajon të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, pse ju nuk guxoni të dilni t’i kërkoni të drejtat tuaja. Kjo qeveri e meriton me dhunë, qysh ka ardhë në pushtet, me dhunë të shkojë te shtëpia”, tha ajo.

Vajza që u lëndua pasi i ra çatia e objektit të Komunës së Prishtinës jashtë rrezikut për jetë, policia jep detaje për rastin

0

Një vajzë ka mbetur e lënduar pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.

Shefi i Urgjencës së Prishtinës, Avdyl Pacolli, thotë se viktima ka pësuar politraumë me lëndime të shumëfishta, por ajo është jashtë rrezikut për jetë.

“Flitet për një paciente të gjinisë femërore e cila e ka pësu një politraumë me lëndime të shumëfishta, ndërkohë është në parametrat vital për jetën.

Ekipet e Qendrës së Mjekësisë Urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes pas thirrjes së qytetarëve edhe të Policisë.

Më pas vajzën e kanë dërgu në Qendrën Emergjentë pranë SHSKUK-së.

E njëjta është duke marrë tretman në qendrën emergjente dhe është duke iu nënshtruar ekzaminimeve klinike-diagnostike“, tha Pacolli për Sinjalin.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas policisë rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit”  në Prishtinë,  një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes  nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër,  e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha  rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e policisë

Osmani takohet me Maqedoncin e Jasharin, i përgëzon për angazhimin në misionin e mbrojtjes

0

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe Komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin.

Osmani i ka përgëzuar për angazhimin e institucioneve të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë.

Presidentja po ashtu  ka vlerësuar se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës.

Valon Syla ironizon dhe e imiton Përparim Ramën: Sheshi thatë, a dojshe me e ba deri te rrethi i flamurit

0

Gazetari dhe analisti Valon Syla sërish ka ironizuar me idenë e kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama që sheshi të zgjerohet deri te rrethi me flamur.

Syla, në një mbrëmje ku shiheshin pak qytetarë në shesh, ka pyetur Ramën se a e ka në plan ende një gjë të tillë,

“Ça bone Përparim Rama, a po e sheh që sheshi është thatë. A dojshe me ba atje deri te rrethi i flamurit?”, ka pyetur ai, transmeton lajmi.net.

https://www.facebook.com/stories/?card_id=UzpfSVNDOjY3MDA5OTAzOTAwMDcyNTE%3D&view_single=true 

Tutje e ka imituar të folurën e Ramës, duke krijuar momente qesharake.

“A ki me i shit edhe ato trafikat ku kena pjekë përpara prishtinalitë kafe, kena hangër leblebia, ato bonbonat, sheqerkat të bardhë me të kuqe”, ka thënë ai duke e imituar të folurën e të parit të kryeqytetit.

Avokati i Popullit e çon në Kushtetuese Ligjin e Zgjedhjeve – me të në dhjetor e bëri nervoz Kurtin

0

Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën. Për këtë ligj, Presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një diskutim të tensionuar me Kryeministrin Albin Kurti, raporton Express.

Dispozita e kontestuar ka të bëjë me kuotën gjinore. Sipas Avokatit të Popullit, përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.

“Dispozita  e kontestuar ( neni 28 Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Kushtetuesja të vlerësojnë “Nëse dispozita e  kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; – Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe – Nëse dispozita e  kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.

“Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore,  duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për grate”, thuhet në njoftim.

Qelaj kishte paralajmëruar se Ligjin do ta dërgonte në Kushtetuese, në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Pas fjalëve të Qelajt, Presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një diskutim të tensionuar me Kryeministrin Albin Kurti.

Fjalët e Qelajt nuk i pëlqyen kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi se 10 ligje të Kuvendit që përmbajnë reforma të rëndësishme për shtetin, për drejtësi dhe punësim, kanë mbetur duke u vlerësuar në Gjykatën Kushtetuese, janë rrëzuar ose “deformuar”, siç tha ai, nga kjo gjykatë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu shkroi në Facebook se Kurti dhe Osmani po diskutonin rreth paralajmërimit të Avokatit të Popullit se ligjin për zgjedhje mund ta dërgojnë për shqyrtim në Kushtetuese.

“Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, shkroi Kryeziu, pa dhënë hollësi për diskutimin mes Kurtit dhe Osmanit.

Presidentja Vjosa Osmani atë ditë i propozoi Avokatit të Popullit që të merret vesh me partitë politike për ta bërë një amandament “që e trajton këtë mospërputhshmëri me ligjin për bararazinë gjinore”, në ligjin për zgjedhjet dhe që ta procedojnë tutje duke e shmangur një pritje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, ajo tha se “do të zgjidhej ky problem shumë më mirë”.

“Faleminderit zoti avokat. Ndoshta një përpjekje të fundit para se ju ta dërgoni ligjin në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se partitë politike pajtohen ne mund ta bëjmë një amandament në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ta procedojmë sa më parë që të jetë e mundur në mënyrë që të trajtohet çështja që e adresova edhe, unë edhe ju. Nuk e di sa ka mbetur kohë. Ndoshta edhe një muaj ose dy, përafërsisht, kështu që, në qoftë se edhe mazhoranca, edhe partitë opozitare do të pajtoheshin, do të zgjidhej ky problem shumë më mirë, në mënyrë që pastaj mos të presim dhe ndoshta edhe një vit deri sa të trajtohet kërkesa juaj në Gjykatën Kushtetuese dhe të bllokohet një prej ligjeve që janë fundamentale në procesin tonë të reformave, dhe për mësysh ka qenë ndoshta prej ligjeve të pakëta që është votuar edhe nga shumica, edhe opozita. Pra, është një prej rasteve të rralla ku i gjithë Parlamenti pajtohet rreth një ligji dhe ky ka qenë një prej të tillëve”, deklaroi Osmani.

Pasi doli jashtë Osmani u pyet për diskutimin me Kurtin. Ajo tha se po flisnin për ligjin për zgjedhjet.

“Për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista. Kështu që është përpjekje e vazhdueshme”, kishte thënë presidentja.

Përmbyllet me sukses programi i fuqizmit të të rinjve nga Coca-Cola HBC Kosova dhe ICK, përfituan rreth 700 të rinjë kosovarë

0

Falë mbështetjes së Coca-Cola HBC Kosova, dhe në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo (ICK), rreth 700 të rinjë të Kosovës të profileve të ndryshme kanë përfituar nga programi i njohur i trajnimit “Coca-Cola Youth Empowered”

Të rinjtë ndoqën në intervale të ndryshme kohore trajnime në shkathtësi të buta, orientim në karrierë, komunikim, marketing digjital dhe banka e financa nga disa prej ekspertëve më të njohur të këtyre fushave në Kosovë.

Frosina Islami, si përfaqësuese e Coca-Cola HBC, e cila aktualisht është Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun dhe aspektin rregullativ, ka thënë se programi i trajnimit të “Coca-Cola Youth Empowered” është njëri prej projekteve më të rëndësishme të kompanisë në Kosovë sepse ka në fokus të rinjtë dhe nevojat e tyre.

Ajo është shprehur se “ndjehet krenare me vazhdimësinë e këtij projekti dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me ICK-në ndër vite”.

“Rreth 700 të rinjë të trajnuar përgjatë vitit nuk janë vetëm numra por më shumë se kaq. Janë të rinj të papunë që vërtetë kanë nevojë të mësojnë për disa nga temat e rëndësishme që do t’iu ndihmojnë shumë të orientohen më lehtë në karrierë dhe mbi të gjitha të gjenden më mirë në tregun e punës. Ne si Coca-Cola HBC Kosova do të vazhdojmë të mbështesim edhe më shumë projekte të tilla të nevojshme për të rinjtë e vendit tonë” ka thënë ajo.

Kurse Shpend Lila, Menaxher i Trajnimeve, Ngjarjeve dhe Marredhenieve me Publik në ICK, është shprehur i lumtur që po përmbyllet një tjetër vit i suksesshëm i bashkëpunimit me Coca-Cola HBC Kosova.

Sipas tij, ky bashkëpunim duhet të jetë shembull edhe për kompani të tjerae

“Në mungesë të programeve të mirëfillta për orientim në karrierë për të rinjtë e pa punë dhe të pa përfshirë në studime në Kosovë, programi “Coca-Cola Youth Empowered” me Coca-Cola HBC Kosova, në katër vitet e fundit ka qenë dritare e mundësive për aftësim, zhvillim dhe lidhje me tregun e punës për mijëra të rinj të Kosovës. Ky bashkëpunim me Coca-Cola HBC Kosova duhet të jetë shembull edhe për kompani tjera të sektorit privat, për të kontribuar në komunitet, ofruar mundësi për të rinjtë dhe rritje të përgjithshme të mirëqenies për shoqërinë. Me padurim e presim vitin 2024 dhe bashkëpunimet e reja”, ka thënë Lila.

Në programin e vitit 2023, kanë përfituar rreth 700 të rinjë nga mosha 16-30 vjeç.

Temat e mbuluara janë fokusuar në dy aktivitete kryesore të programit Coca-Cola Youth Empowered: 1) Trajnimet gjashtë grupe dhe 2) Ngjarjet e komunitetit.
Gjatë viteve të kaluara, mbi 2 mijë të rijnë në Kosovë kanë marrë pjesë në këtë program, duke fituar aftësi dhe njohuri të vlefshme për rritjen e tyre në karrierë.
Programi në Kosovë është pjesë e strategjisë më të gjerë të kompanisë Coca-Cola HBC, e cila synon të fuqizojë 1 milion të rinj deri në vitin 2025 në 29 shtete ku ajo operon, si pjesë e zotimeve për Qëndrueshmërinë 2025.