“Ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time” 😢

Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës, Liridona Ademaj, e cila dyshohet se u vra me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, ka reaguar pas marshit të sotëm në Prishtinë, ku u bë thirrje për drejtësi për gratë e vrara, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ademaj ka shprehur mirënjohjen e gjithë familjes për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën.

Ai është shprehur se ditët po bëhen edhe më të vështira, por që presin drejtësi të shpejtë dhe profesionale.

Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.

Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”, thuhet në reagimin e familjes.

Mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur. Ky i fundit dyshohet se pagoi 30 mijë euro Plavën, për ta zbatuar gjithë planin.

Të dielën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, dje u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Në shenjë revolte, sonte u mbajt një protestë në Prishtinë, ku nën moton ‘S’ka paqe pa sigurinë e grave”, u kërkua drejtësi për të gjitha gratë e vrara.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

spot_img
Lajmet e fundit
Lajme të lidhura