Drejtori i ‘Lesna Shpk’ intervistohet në Polici: Dy familje raportuan se po rrezikohen nga ndërtimi i lartë, evakuohen banorët

Ndërtimi i objekteve të larta afër shtëpive, po i shqetëson shumë banorët e kryeqytetit. Probleme të tilla ka pasur në vazhdimësi, me ç’rast edhe janë denoncuar kompani të ndryshme që merren me ndërtimin e objekteve banesore. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme, ku dy qytetarë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se po rrezikohen nga ndërtimi i lartë, raporton Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy banorë që jetojnë në rrugën “Faton Krasniqi” kanë raportuar se po rrezikohen nga punimet që po kryhen nga kompania ‘Lesna SHPK’ në atë pjesë. Denoncimi i tyre ka aktivizuar Policinë, me ç’rast drejtori i kësaj kompanie, Bekim Deshishku ka përfunduar në Polici si i dyshuar.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të shtunën në orët e mëngjesit, kur dy banorët që jetojnë në shtëpitë afër objektit ku po ndërtohet janë ndjerë të rrezikuar dhe kanë vendosur që ta raportojnë te organet e rendit.

Sipas informacioneve të para, njëri prej tyre ka deklaruar se oborri i tij ka nisur të shembet për shkak të punimeve, prandaj kanë kërkuar që të merren masa para se të pësojë ai dhe familja e tij.

Si rezultat i denoncimit, anëtarët e familjeve që jetojnë në ato dy shtëpi janë evakuuar, ndërsa në vendin e ngjarjes, përveç zyrtarëve policorë, kanë intervenuar edhe inspektorët e komunës dhe zjarrfikësit.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, drejtori Deshishku është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar, me ç’rast ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për punimet që po kryejnë në pjesë.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

spot_img
Lajmet e fundit
Lajme të lidhura