Pas shumë viteve bashkëpunimi të fuqishëm dhe të suksesshëm, Coca-Cola HBC Kosova dhe Innovation Center Kosovo (ICK) kanë rihapur zyrtarisht programin e njohur “Fuqizimi i të Rinjve 2025”. Me një drejtim të ri dhe më ambicioz, programi rikthehet për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës me aftësi që përputhen me kërkesat e një bote gjithnjë në ndryshim.
Gjatë vitit 2025, synimi i programit është të përfshijë 800 të rinj nga te gjitha rajonet kryesore të Kosovës kurse trajnimet fizike do të mbahen gjatë vitit në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë. Ky program nuk është vetëm vazhdim i një partneriteti të besueshëm, por edhe një vizion i ri për të pajisur të rinjtë kosovarë me njohuri dhe qasje të domosdoshme për tregun e ardhshëm të punës.
Moduli i parë i programit do të nisë më 29 Prill, dhe do të zhvillohet në hapësirat e ICK në Prishtinë.
Programi është dizajnuar me kujdes për të përfshirë tema aktuale që pasqyrojnë tendencat globale dhe nevojat lokale. Pjesëmarrësit do të eksplorojnë potencialin transformues të inteligjencës artificiale (AI) dhe ndikimin e saj në industri të ndryshme. Ata do të mësojnë si të shndërrojnë idetë në plane konkrete biznesi, duke forcuar njëkohësisht aftësitë e tyre në marketing digjital, tregim të historive (storytelling) dhe krijim të përmbajtjes.
“Kjo rihapje është më shumë se një vazhdim – është një premtim i ripërtërirë për të qëndruar pranë të rinjve të Kosovës dhe për të ecur bashkë drejt një të ardhmeje më inovative, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme,” tha Frosina Islami, Menaxhere për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim në Coca-Cola HBC Kosova. “Së bashku me ICK, jemi krenarë që e rikthejmë këtë platformë me një energji të re dhe një vizion të përgatitur për të ardhmen.”
Që nga fillimi, programi ka angazhuar mbi 4,000 të rinj nga e gjithë Kosova, shumë prej të cilëve kanë ndërtuar karriera të suksesshme ose kanë nisur ndërmarrje të tyre.
“ICK është jashtëzakonisht i lumtur që, sërish, bashkon forcat me Coca-Cola HBC Kosova për njërin nga programet më me ndikim për të rinjtë në vend”, tha Shpend Lila, Menaxher i Projekteve në ICK. “Ky program pasqyron bindjen tonë të përbashkët në talentin dhe potencialin e të rinjve të Kosovës – dhe misionin tonë për t’i ndihmuar ata ta çlirojnë këtë potencial.”
Programi “Fuqizimi i të Rinjve 2025” do të vazhdojë gjatë gjithë vitit me module të dedikuara trajnimi në komunat e përzgjedhura. Të gjithë të rinjtë e interesuar inkurajohen të ndjekin kanalet zyrtare të ICK dhe Coca-Cola HBC Kosova për informata rreth regjistrimit dhe njoftimeve të reja për trajnimet.
‘📍 Për më shumë informata dhe për t’u regjistruar për modulin e parë, ju lutem vizitoni: https://www.coca-colaperkrahrinine.com