Ballina Blog Faqe 8

Ekspertja amerikane: Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, radhën e ka Ballkani

0

Ekspertja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner, ka komentuar fjalimin e presidentit amerikan, Joe Biden, të mbajtur dje në Shtëpinë e Bardhë e ku flet për agresionin rus në Ukrainë dhe shtron pyetjen se çfarë mund të ndodh nëse Amerika largohet dhe Putin mposht Zelenskyn.

Stradner ka thënë se për një kohë të gjatë ka paralajmëruar për rrezikun e një lufte në Ballkan dhe se më në fund SHBA-ja ka hapur sytë.

Ajo ka thënë se nëse SHBA-ja nuk e ndalë Rusinë, radha është për Ballkanin, meqë Rusia kërkon një front të dytë në Evropë.

“Unë kam paralajmëruar për një luftë në Ballkan për një kohë të gjatë dhe më në fund SHBA ka hapur sytë. Nëse nuk ndalojmë Rusinë, Ballkani është i radhës. Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë”, ka shkruar ajo.

Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

0

“Bundeswheri” gjerman përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se si rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, Gjermania do ta rris numrin e forcave të saj që janë në Kosovës në kuadër të KFOR-it. Ky kontingjent gjerman i këmbësorisë do të zbarkojë në Kosovë në pranverë.

“Bundeswheri bën një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Gjermania është shteti i parë që do të rris përkushtimin duke dërguar forca shtesë këmbësorie”, thuhet në njoftim e Bundesëher.

Nga 80 ushtarë gjermanë sa janë aktualisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it, numri i tyre do të shkojë në 300 së bashku me stafin mbëhstetës.

Për këtë çështje ka folur edhe Gjenerali gjerman Bernd Schutt, duke thënë se trupat shtesë gjermane do të zbarkojnë në Kosovë në pranverë.

“Në pranverë do të dërgojmë një kompani shtesë këmbësorie në veprim,” ka thënë gjenerallejtënant Schutt, raporton Express.

Duke dhënë detaje për forcat shtesë që do të vijnë në Kosovë, Schut ka thënë se ata do të bëjnë patrullime, detyra të sigurisë dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe de-përshkallëzim në rast të trazirave dhe protestave, shkruan Express.

“Portofoli i tyre i detyrave përfshin patrullimet, detyrat e sigurisë dhe, nëse është e nevojshme, de-përshkallëzimin gjatë protestave dhe trazirave,” shpjegoi gjenerallejtënant Schütt.

Bundesëher njofton se shtimi i trupave gjermane në Kosovë në selinë e KFOR-it është pritur tepër mirë.

Ministri Sveçla nxjerr të dhënat nga kufijtë: Nga 1 janari nga Kosova kanë dalë 2 mijë e 408 autobusë

0

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dalë me një reagim ndaj raportimeve “ikjet masive” të qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se raportimet për largim masiv të kosovarëve janë të pavërtetë, veçanërisht ato përmes autobusëve.

Sveçla ka nxjerrë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës apo Departamenti kufitar, duke treguar se nga 1 janari 2024 deri me datën 19, nga Kosova kanë dalë 2 mijë e 408 autobusë, ndërsa kanë hyrë 3 mijë e 687.

Sveçla këto shifra i ka krahasuar edhe me vitin paraprak, duke treguar se në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2023 në Kosovë kanë hyrë 3 mijë e 511 autobusë dhe kanë dalë 3 mijë e 731.

Sot mediat vendore bazuar në një përgjigje të Stacionit të Autobusëve kanë raportuar se mesatarja e autobusëve që udhëtojnë drejt shteteve evropiane është 400. Megjithatë pas këtij raportimi ka reaguar vetë Stacioni i Autobusëve, duke thënë se bëhet fjalër për të gjitha linjat edhe ato që qarkullojnë brenda Kosovës.

Raportimet për “ikje masive” të qytetarëve tanë, veçanërisht përmes transportit me autobusë janë të pavërteta. Ato me ose padashje krijojnë panikë te qytetarët dhe rëndom përdoren pastaj për qëllime politike e dashakeqe kundër shtetit tonë nga Serbia.

Lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve e po ashtu demantohen lehtësisht edhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku dëshmohet se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” të qytetarëve tanë apo flukse të autobusëve.

Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë. Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar.

Procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme për çka u jam mirënjohës stafit të Aeroportit, zyrtarëve tanë policor atje si dhe zyrtarëve policor kudo në pikat tona kufitare. Natyrisht, ju bëj thirrje edhe mediave për korrektësi në raportim të lajmeve rreth kësaj teme dhe jo vetëm.

Të gjithë qytetarët i falënderoj për respektim të procedurave të udhëtimit pa viza dhe ju dëshiroj rrugë të mbarë si në vajtje ashtu dhe ardhje në vendin e tyre!

Kurti me Vuçiqin sërish bashkë, në Shkup diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

0

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në fillim të javës së ardhshme në Shkup, ku me përfaqësues të BE-së dhe organizatave rajonale do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Mikpritës i takimit të hënën më 22 janar do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar: kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Srgjan Amixhiq, kanë kumtuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koppmann dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin për Planin për Rritje në Ballkanin perëndimor në Shkup marrin pjesë organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe Forumi i Investimeve i Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian.

Kontigjenti i FSK’së në Britani për të trajnuar ushtarakët ukrainas, Osmani: Do të luajnë rol kyç si instruktorë

0

Kontigjenti i FSK’së në Britani për të trajnuar ushtarakët ukrainas, Osmani: Do të luajnë rol kyç si instruktorë

Presidentja Vjosa Osmani i ka sukses një kontigjenti të ushtarëve të FSK-së që është nisur mbrëmë për në Britani të Madhe për të mbështetur një operacion të quajtur INTERFLEX.

Ajo tha se ata do të kenë rol kryesor në stërvitjen e ushtrisë ukrainase.

“Iu uroj sukses ushtarëve tonë të FSK-së kanë derisa nisin operacionin INTERFLEX në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë të NATO-s. Ata do të luajnë rol kryesor si instruktorë, duke ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë ukrainase. Krahas aleatëve tanë, ne mbetemi të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë”, ka shkruar ajo në X.

Djali i Smajl Hajdarajt tregon dyshimet për vrasjen e babait, përmend “binomim SHIK-UDB”

0

Shpëtim Hajdaraj, djali i veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Smajl Hajdaraj, është i ftuar në “Pressing” të T7, ku po rrëfen për vrasjen e babait të tij më 17 janar 2002.

Ai ka thënë se nuk mund të përmend emra, pasi beson që është një vendim paraprak politik që ka vendosur për vrasjen e babait të tij, Smajl Hajraraj.

Por dyshimet e tij janë për siç e quan ai “binomi SHIK-UDB”.

“Duhet me fillu nga kush e krijoi këtë frymë vëllavrasje. Normalisht dyshimet shkojnë te këta. Tash se cili është roli i secilit individ, këtu nuk ka qenë çështje e një individi që iu ka tek me vra Smajlin. Ka qenë një vendim më i lartë, që unë e quaj ka qenë një lloj binomi SHIK-UDB, ka pas elemente brenda saj”.

“Atyre pjesëtarëve të  SHIK’ut nuk iu ka tek me ardh me vra Smajlin. Unë besoj dhe mendoj logjikshëm se ka qenë një vendim paraprak politik. Tash unë nuk mund të them valla ky person e ka marrë atë vendim, sepse mendoj që ka pasur një rreth më të gjerë të njerëzve”, ka thënë ai.

Presidenti i Izraelit: marrëdhëniet me Arabinë Saudite kyçi për dhënien fund luftës në Gazë

0

Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite është elementi kyç për t’i dhënë fund luftës me Hamasin dhe që do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Lindjen e Mesme, tha presidenti izraelit Isaac Herzog të enjten, në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në qytetin zvicerian Davos.

“Është ende delikate dhe mund të dojë kohë, por mendoj se është realisht një mundësi për të ecur përpara në botë dhe në rajon drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha zoti Herzog.

Deklarata vjen pak ditë pasi ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal bin Farhan, tha në një takim në Davos se mbretëria saudite bie dakort që “paqja rajonale përfshin paqen për Izraelin”. Ai tha se Arabia Saudite “me siguri” do ta njihte Izraelin në kuadrin e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

“Por kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet paqes për palestinezët, nëpërmjet një shteti palestinez”, tha ai.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti gjatë një takimi në Davos se zgjidhja për një shtet palestinez mund të ndihmonte për të përmirësuar sigurinë e Izraelit dhe marrëdhëniet e tij me vendet e tjera në rajon.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij e djathtë janë megjithatë kundër konceptit të një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.

Presidenti izraelit Herzog, posti ceremonial i të cilit i shërben unitetit të kombit, tha se mbështetja për këtë ide nga publiku është e ulët, pasi izraelitët e traumatizuar janë të përqendruar tek siguria e tyre pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor. Ai tregoi fotografinë e Kfar Bibas, izraelitit më të vogël që mbahet peng në Gazë, i cili mbushi një vjeç të enjten.

“Kur vendet dalin me propozimin për një zgjidhje ‘me dy shtete’, ato duhet të përballen fillimisht me një pikëpyetje paraprake, që është një pikëpyetje themelore për qeniet njerëzore: A po na ofrohet siguri e vërtetë?”, tha zoti Herzog. “Izraelitët e humbën besimin tek procesi i paqes, sepse panë që terrori lartësohet nga fqinjët e tyre”.

Zoti Herzog theksoi edhe pasojat globale të sulmit në Izrael të Hamasit, që ai tha se është vetëm një ndër veglat e “perandorisë së të keqes që vjen nga Teherani”.

Ndërsa vazhdon konflikti në Gazë, Irani ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj atij që e quan operacion të zbulimit izraelit në Irak, si dhe bëri sulme në Pakistan dhe Siri. Rebelët e mbështetur nga Irani në Jemen, të njohur si huthitë, kanë ndërprerë gjithashtu transportin global detar me sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq, që morën në përgjigje sulme nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

“Çështja e huthive është e përparësisë numër një, pasi rrit kostot e jetesës për çdo familje në univers, një grup i vogël prej 50 mijë personash, e furnizuar me armë nga një perandori”, tha zoti Herzog.

Të mërkurën në Davos, ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian këmbënguli se sulmi iranian në Irak, si dhe ndaj një baze militantësh në Pakistan, janë në kuadrin e së drejtës së vendit të tij për t’u vetëmbrojtur. Ai gjithashtu akuzoi Izraelin për “gjenocid” në fushatën ndaj Hamasit, që ka vrarë mijëra civilë palestinezë.

Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani gjithashtu dënoi luftën në Gazë gjatë takimeve në Davos të enjten, duke thënë se “komuniteti ndërkombëtar ka dështuar”.

Por zoti Sudani u përpoq të balancojë qëndrimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke thënë se Iraku ka “interesa” dhe “partneritet strategjik” me të dyja vendet. Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për tërheqjen nga Iraku të forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se prania e tyre nuk është më e justifikuar, pasi grupi Shteti Islamik “nuk është më një rrezik për popullin irakian”.

Udhëheqësit irakianë dhe izraelitë tërhoqën vëmendjen kryesore të enjten ndër aktivitetet e shumta në Davos, ku janë mbledhur udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave dhe përfaqësues të tjerë të elitave.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve “mund të duket e largët tani, por mund të jetë më e afërt nga ç’mendojmë”.

“Shumë njerëz që e përkrahën këtë ide janë tashmë më të shqetësuar për periudhën afatgjatë, se pa këtë zhvillim do të kemi një përshkallëzim të vazhdueshëm të dhunës”, tha ai.

Aktivitetet katërditore në forumin e Davosit, që është kritikuar si një forum ku flitet për ide të mëdha por pa dhënë zgjidhje, kanë trajtuar një gamë të gjerë tematikash, si ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale, një teknologji kjo që mund të ofrojë shanse zhvillimi për ekonominë, por edhe rreziqe.

Sam Altman, drejtor ekzekutiv i kompanisë OpenAI që prodhoi programin e inteligjencës artificiale ChatGPT, mori pjesë në aktivitetet në Davos, pas problemeve në drejtimin e kompanisë vitin e kaluar. Gjatë një takimi për teknologjinë, ai u përball me pyetje për këtë dhe për një padi të ngritur nga gazeta The New York Times, që kërkon t’ia ndalojë kompanisë OpenAI përdorimin e artikujve të kësaj gazete për të përmirësuar programet e dialogimit robotik nëpërmjet inteligjencës artificiale.

Gjatë një mëngjesi pune të organizuar në kuadrin e forumit të enjten, diskutimi u përqëndrua tek lufta e Ukrainës ndaj Rusisë. Presidenti polak Andrzej Duda bëri thirrje që fondet ruse të ngrira në bankat perëndimore të përdoren për Ukrainën.

Ai tha se 60 miliardë dollarët e caktuar për rindërtimin e Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe 54 miliardë të caktuara nga Bashkimi Evropian janë “jetike”.

Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të përmbushin dërgimin e ndihmave, të cilat kanë ngecur, si dhe aleatëve që të rikujtohen se të marra së bashku ekonomitë e tyre janë 25 herë më të mëdha se ekonomia e Rusisë.

“Na duhet vetëm ta demonstrojmë fuqinë tonë ekonomike, të lëvrojmë fondet, dhe do të jemi në gjendje ta ndihmojmë Ukrainën që t’i japë fund kësaj”, tha zoti Cameron, i cili pati edhe një takim me ministrin e Jashtëm të Iranit në Davos.

Të enjten udhëtoi drejt Davosit edhe bashkëshorti i nënpresidentes amerikane Kamala Harris, Doug Emhoff, për të marrë pjesë në diskutimet për antisemitizmin, islamofobinë dhe formave të tjera të urrejtjes. /VOA

Era ia fluturoi kulmin objektit të Komunës, Rama: Të hetohet rasti

0

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës,  ka reaguar pas dëmtimit të një pjese të kulmit të objektit të Komunës së Re si pasojë e erërave. Një vajzë ka mbetur e lënduar.

Rama përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.

”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.

“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Rama të enjten.

Në tension të lartë për rrymën – opozita kërkoi rezolutë, pushteti përgjigjet duke dhënë lajmin për subvencione

0

Kuvendi është mbledhur sot për të shqyrtuar një rezolutë të opozitës, përmes së cilës po kërkohet anulimi i vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe heqja e bllok tarifës. Në orën që ishte paraparë të fillonte seanca, Ministri i Financave, Hekuran Murati, u lajmërua në Facebook, duke dhënë lajmin se ministria do të japë subvencione për kategoritë e cënueshme. Rezoluta e PDK’së u cilësua si “koti” nga Ministrja Artane Rizvanolli. Ajo tha se Kosova ka çmimin më të lirë të rrymës në Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave. Akuzoi opozitën se po tenton t’i mashtrojë qytetarët. Përplasje pati mes Mimoza Kusarit dhe Hykmete Bajramit.

Ankesat e qytetarëve për faturat e larta të rrymës për muajin dhjetor i kanë bërë bashkë sot deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar një rezolutë për këtë punë. Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, por deputetët nuk u mblodhën deri gati pas një ore.

Pikërisht në kohën kur ishte paralajmëruar të fillonte seanca, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zgjodhi ta jepte një lajm që lidhet me temën që do të diskutonte Kuvendi, sikur për ta larguar vëmendjen.

Ai njoftoi se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cënueshme.

“40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike. Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.”, shkroi Murati në Facebook. Ai sqaroi se subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cënueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Kuvendi nisi punimet me prezantimin e Rezolutës së PDK’së nga deputeti Ferat Shala. Përmes kësaj rezolute, u kërkua që të anulohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe heqja e bllok tarifës.

Pas tij, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, bëri një krahasim të çmimit të rrymës që e blen KESCO dhe çmimit që u faturohet pastaj konsumatorëve. Ai e quajti këtë plaçkitje.

“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë, pra kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kWh është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 përqind.  Nëse shkojmë mbi 800kWh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kWh shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kWh na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 përqind”, deklaroi Tahiri.

Një krahasim e bëri edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi. Ai tha se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

“Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.

Gashi kujtoi edhe vitin 2015 kur Vetëvendosje protestonte për ta kundërshtuar çmimin e lartë të energjisë.

“Sot me Kurtin në pushtet rryma është dyfish më e lartë se atëherë” tha Gashi.

Pas këtyre deklaratave, Ministrja Artane Rizvanolli, doli në foltore dhe tha se Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë në rajon dhe Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave.

Rizvanolli e cilësoi rezolutën e propozuar nga PDK’ja si “rezolutë koti”, derisa tha se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët, meqë çmimi i rrymës nuk ulet me të tilla metoda.

Duke folur për propozimin e PDK’së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.

Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.

“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.

Kritika ndaj ekzekutivit kishte edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai tha Qeveria Kurti për katër vjet mandat e rriti dy herë çmimin e energjisë për qytetarët dhe se riktheu gjendjen e para 20 vjeteve me reduktime.

“Është për të ardhur keq që edhe pse jemi në vitin 2024, që Kosova e ka krejt nëntokën e ka plot me qymyr, të flasim për reduktime, për cmime të larta të energjisë dhe probleme tjera që lidhen me energjinë. Kemi një qeveri që ka lanë anash sektorin e energjisë, nuk ka asnjë strategji dhe as veprime për ringjalljen e sektorit…Një Qeveri që u pagoi serbëve 115 milionë euro rrymë në kurriz të qytetarëve shtetas të Kosovës. Një qeveri që dy herë bëri rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët. Një qeveri e cila nga katër vite në pushtet, riktheu gjendjen e para 20 vjetëve me reduktime me muaj të tërë”, tha Lekaj.

Deklaratat e Rizvanollit nxitën edhe reagimin e Kreut të PDK’së, Memli Krasniqit. Ai deklaroi se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, tha Krasniqi.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, shtoi ai.

Nga PDK’ja reagoi edhe deputeti Rashit Qalaj, i cili tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike erdhi si shkak i keqmenaxhimit të KEK-ut nga Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i lidhur me LVV-në.

Qalaj tha në seancën e Kuvendit se Krasniqi qëllimisht zgjodhi “dështimin” për të blerë rrymë, siç tha ai “nga miqtë e bashkëpartiakut të tij, Martin Berishaj”.

“Rritja e çmimit ndodhi për shkak të keqmenaxhimit me asetet e KEK-ut nga partiaku juaj, z. Krasniqi, i cili kishte mënjanuar sugjerimet e ekspertëve profesionalë të KEK-ut për t’i riparuar blloqet me kohë dhe në mënyrë profesionale”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti tha se çmimi i energjisë është shtrenjtuar për 115 përqind, derisa drejtoi kritika për mungesën e investimeve për kapacitete të reja energjetike.

“E vërtetë është se mandati po kryhet. Nuk ka kapacitetetë reja energjetike dhe as nuk ka plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja. E vërteta është se çmimi i energjisë është shtrenjtuar 115%. E vërteta është se janë subvencionuar hotele, markete, ambasada, aeroporti dhe plot biznese tjera joesenciale”, tha Hoti.

“Tani ju mund të thoni që për 3 vjet nuk ndërtohet një termocentral i ri, por mund të fillohet. Do të duhej të kishte filluar brenda kësaj periudhe”, tha ai.

As në seancën e sotme nuk munguan përplasjet. Këtë herë përplasje kishte mes Shefes së Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lilës dhe deputetes së LDK’së, Hykmete Bajramit.

Gjithçka nisi kur Bajrami kërkoi që të flasin deputetët e pushtetit, pasi për Kusari-Lilën tha sa s’është pjesë e LVV-së.

“Ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në të kaluarën, ka qenë zëvendëskryeministre kur është privatizuar distribucioni dhe ka qenë anëtare e Komitetit të Privatizimit si ministre e Tregtisë atë kohë”, tha ndër tjerash Bajrami, duke iu referuar kryetares së Alternativës.

Deklaratën e Bajramit, Kusari-Lila e cilësoi shpifje.

“Është e vërtetë që qytetarët mbajnë mend, për atë e kanë sjellë Lidhjen Demokratike në 12%. Dhe në shpifjen e saj se unë kam qenë pjesë e të gjitha qeverive, po du me i thënë veç listoji në cilat qeveri kam qenë pjesë. Përveç njërës, unë kam qenë vetëm një herë në jetën time në një mandat qeverisës ministre, ti ke qenë në tri”, tha ajo, duke shtuar se partisë LDK-së ia kanë treguar vendin qytetarët.

Bajrami, në kundëreplikë, i tha Kusari-Lilës të dalë e vetme në zgjedhje “për me e pa ku e ke vendin”.

“Zonja Kusari, unë nuk shpifi. Qytetarët e dinë shumë mirë kush je ti. Për me e pa ku e ke vendin, urdhëro, del në zgjedhje e vetme, mos u kacavjerr nëpër listat e partive tjera. Për me e pa ku e ke vendin. Ashtu të matet vendi ty dhe unë e ti matemi. Vetëm kur të dalësh vetëm, kur të dalësh me Alternativën. Tregom kush e njeh një anëtar tjetër të Alternativës?”, tha ajo.

“Nuk ka parti politike të cilës nuk iu ke kavavjerrë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Kusari-Lilën e përmendi në fjalën e tij edhe ish-deputeti i VV’së, tash deputet i pavarur, Haki Abazi.

“Edhe sot ka Mimoza Kusari fytyrë me dalë me folë për suksese dhe pret mirëkuptim për Veriun që pas tri viteve, pas shpenzimit të 120 milionë eurove dhe me një kontratë me Elektroseverin. Bëjeni publike kontratën, ta shohim cila është marrëveshja me Elektroseverin. Pastaj flasim cili është suksesi aty. Mos u fsheh si në rastin e Komisionit Hetimor për Rezervat shtetërore”, ka thënë ai.

Abazi tha se qytetarët po përballen me varfëri energjetike dhe se shteti po menaxhon me këtë varfëri.

“Qytetarët po përballen me varfëri energjetike. Këtu ka menaxhim të varfërisë energjetike. Këtu përfundon debati i aspektit politik të qasjes juj. Dua të iu kujtoj se z.Edi Rama se në vitin e parë e ka kthyer sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ tek shteti. Në vend se të vajtoni, merrni kthejeni në pronësi të shtetit monopolin natyror të shpërndarjes së energjisë elektrike. Por s’jeni të interesuar”, ka shtuar ai.

Si zakonisht, opozitarët e përmendën ‘tregtarin e rrymës” Martin Berishaj, por në fund gjithçka përfundoi pa ndonjë efekt pasi në Kuvend nuk pati kuorum për ta hedhir në votim draftrezolutën.

Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

0

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se Qeveria që “s’po mund ta ngopë me bukë” popullit”, s’mund t’i bind ata për t’i mobilizuar për luftë.

Musliu tha në Kuvend se në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë FSK-në, raporton Gazeta Express.

“Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flasë në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, tha ajo, pasi lexoi mesazhin e një qytetari i cili ajo tha se ankohej se s’po mund t’i ushqejë familjarët, e lëre më t’i paguajë faturat e energjisë elektrike.

Musliu iu kërkoi qytetarëve që ta marrin guximin të protestojnë, ndërsa tha se kjo qeveri e meriton të rrëzohet “me dhunë”.

“Qytetarë të Republikës së Kosovës, nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin, kurajon të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, pse ju nuk guxoni të dilni t’i kërkoni të drejtat tuaja. Kjo qeveri e meriton me dhunë, qysh ka ardhë në pushtet, me dhunë të shkojë te shtëpia”, tha ajo.