Ballina Blog Faqe 42

E dhimbshme: Kjo është 16 vjeçarja që vdiq në një aksident me traktor

0

Të hënën, në Qendrën Klinike Universitare ka vdekur gruaja e cila u aksidentua me traktor më 11 korrik në fshatin Turjakë të Pejës.

Gruaja e cila humbi jetën si pasojë e aksidentit me traktor, është Shkurtë Gashi, e lindur në vitin 2007.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet të mërkurën në fshatin Buqan.

Ndryshe, viktima në këtë aksident kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe pas trajtimit në Spital të Pejës ishte dërguar në QKUK në Prishtinë.

“Ju informojmë se me datë 11 korrik 2023, rreth orës 09:30, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Turjakë – Pejё. Nё kёtё aksident ishin tё involvuar njё makinё punuese (traktor), dhe vozitёsja e traktorit, e cila si pasojё e aksidentit kishte pёsuar lëndime tё rёnda trupore, e njëjta ёshtё dёrguar nё Spitalin Rajonal nё Pejё, e mё pas pёr shkak tё natyrёs sё lëndimeve ёshtё dёrguar nё QKUK – Prishtinё” – thuhet në njoftim.

Serbia në panik: Turqia po punon intensivisht në armatosjen e Kosovës

0

Sekretari shtetëror i ministrisë serbe të mbrojtjes, Nemanja Staroviç, ka deklaruar se disa vende, dhe mbi të gjitha, sipas fjalëve të tij, Turqia, po punojnë intensivisht në armatosjen, stërvitjen, përgjithësisht në trajnimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, “gjë që është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjet e tjera përkatëse ndërkombëtare”.

Ai ka deklaruar për Radio Televizionin e Serbisë se agjencitë kompetente serbe po e ndjekin me kujdes dhe po e informojnë udhëheqjen shtetërore për atë që po ndodh, kështu që “Serbia përmes të gjitha kanaleve në dispozicion i ka paralajmëruar” përfaqësuesit e Turqisë se është “absolutisht e papranueshme”, duke thënë se Turqia po i “dhuron” këto armë Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti publikisht i ka prezantuar dronët dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për faktin se Turqia po rrit kapacitetet e forcave të Kosovës me donacionet e armëve ofensive. Fatkeqësisht, nuk bëhet fjalë vetëm për dronë, por edhe për armë shumë të sofistikuara kundër-tank, mortaja dhe armë të tjera”, ankohet Staroviç.

Ai ka thënë se kjo “ngre nivelin e rrezikut dhe kërcënimeve, para së gjithash, ndaj popullatës serbe në Kosovë, por edhe ndaj Serbisë në tërësi”, duke shtuar se “kjo nuk është shkak për panik, ne kemi përgjigje për të gjitha këto dhe do t’i kemi së shpejti”

“Është veçanërisht shqetësuese sepse Turqia do të marrë komandën e KFOR-it në vjeshtë, për herë të parë që nga themelimi i këtij misioni. Kjo nuk është mirë, nuk mund të ndikojmë në këtë vendim sepse kjo është ekskluzivisht në kompetencë të aleancës së NATO-s”, ka pretenduar Staroviç.

Ai shtoi se emërimi i një gjenerali nga Turqia si komandant i KFOR-it sjell “sfida shtesë për Serbinë”.

Avokati i Kadri Veselit kapet me gjyqtarët: Pyetjet tendencioze, nuk dua të degjenerohet situata

0

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka shkëmbyer replika të ashpra me gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, në seancën që po mbahet në Hagë.

Kjo pasi Emmerson pati disa kundërshtime me pyetjet që gjyqtarët ia kishin drejtuar Rrustem Mustafës.

Emmerson ka thënë se është detyrë e tij të kundërshtojë pyetjet tendencioze.

“Nga juridiksioni që vi unë, është detyrë e avokatit të kundërshtojë pyetjet tendencioze nga të gjitha palët, pavarësisht nga cila anë, përfshirë edhe gjyqtarët. Në rastin e sotëm u cenua kundërshtimi im për pyetjet e bëra nga gjyqtarët, dhe duhet të ketë një vendim. Gjyqtari Metro më dha urdhër të ulesha, dhe kundërshtimi im është hequr nga transkripti sepse po flisnim në të njëjtën kohë”, tha Emmerson.

“Nuk dua që të shkojmë e të degjenerohet situata, por të kemi proces të qartë. Nëse gjyqtarët janë të përgatitur për kundër-pyetje, e pamë që kjo e orientoi në mënyrë të gabuar dëshmitarin, doli jashtë kontekstit. Është detyrim profesional ta kundërshtojë. Dhe nëse trupi gjykues mendon se nuk duhet ta bëjë, duhet të dilni me vendim për këtë”, tha Emmerson.

Hisen Berisha: Kosova i ka blerë dronët Bayraktar sepse Serbia ka blerë sisteme raketore ruse

0

Deputet i PDK, Hisen Berisha, në një lidhje direkte me “Ditarin” në A2 CNN shpjegoi pse Kosova bleu dronët Bayraktar nga Turqia.

“Blerja e dronëve ishte planifikuar muaj më parë, pas analizës së kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat mund të përballet vendi. Lufta në Ukrainë ka treguar eficencën e tyre. Është domosdoshmëri e kohës, nuk ka asnjë kufizim ligjor, pavarësisht se çfarë thotë Vuçiçi. Ne do të blejmë edhe teknologji më të avancuar, jo vetëm dronë por edhe sisteme armatimesh”, tha Berisha.

“Serbia ka blerë sisteme raketore nga Rusia dhe është një satelit rus që ka bazën në kufi me Kosovën. Edhe ne do të blejmë të gjitha pajisjet që mund t’i përgjigjen Serbisë. Veprimet tona janë të harmonizuara me SHBA dhe sa i përket sigurisë kompetencat janë përgjegjësi e forcave të NATO-s”, shtoi Berisha.

Lajm i hidhur: Vdes zyrtari i Policisë së Kosovës, Adem Syla

0

Ka vdekur të hënën Adem Syla, zyrtar i Policisë së Kosovës në Stacionin e Kamenicës.

Lajmin e ka bërë të ditur sot komandanti i stacionit policor në Kamenicë, Florim Klaiqi.

Klaiqi është shprehur i trishtuar nga lajmi i hidhur i vdekjes së kolegut të tij, të cilin e ka quajtur një profesionist të madh në fushën e zbatimit të ligjit.

“Jemi të trishtuar nga ky lajm i hidhur, na la zyrtari Policor Adem Syla, një profesionist i madh në fushën e zbatimit të ligjit, i cili na tregoj se në secilën punë duhet të tregohen parimet njerëzore dhe morale”, ka thënë Klaiqi.

“Një burrë i vendosur me karakteristika të veçanta, mburrem që të pata koleg”, ka vijuar komandanti i stacionit policor në Kamenicë.

Klaiqi ka thënë se “ndihem krenar që pata fatin të punoj me Ademin dhe i nderuar me punën e tij.”

Varësia e të rinjve nga droga, Policia e kap në flagrancë 25-vjeçarin në hyrje të autostradës

0

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar në hyrje të autostradës, në fshatin Mazgit, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi 25-vjeçar, pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një qese me sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë, që dyshohet se ishte për konsum personal.

Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Drenicaku denoncohet nga gruaja për dhunë fizike, përfundon në ndalim policor

0

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Korroticë e Epërme në Drenas, ku një burrë 67-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se 59-vjeçarja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u ballafaqua me burrin e saj, i cili ka shkaktuar frikë dhe shqetësim.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i njëjti të ndalohet dhe ndaj tij të nisin hetimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Kërcënon Kurtin zyrtari i AAK’së: Nëse vijnë do ushtarë para qeverisë, ata nuk thonë “puna e mbarë”

0

Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka paralajmëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që mos ta dëshirojë përballje me UÇK-në.

Ai ka folur në Pressing të T7 rreth mos përfshirjes së veteranëve në ligjin për Pagën Minimale.

Demaliaj vazhdimisht ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj veteranëve.

Madje, thotë se nëse vijnë mobilizohen ushtarët nuk shkojnë për t’i thënë puna e mbarë.

“Nëse dojnë me pa UÇK dhe me u ballafaqu atëherë lutem që këta nuk duhet me u ballafaqu këta me UÇK-në si e mendojnë dhunë, sepse 15 persona i kam pa në atë protestë që me një telefon i thirrin 20 komandantë brigadës ata me 50-60 batalionesh, ushtarë që janë stabil, atëherë kur vijnë ata nuk vijnë për me i tha puna e mbarë”, ka thënë ai.

Ish-deputeti i VV-së: Është përçarë populli, faji është i Kurtit

0

Fatmir Humolli, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se puna është i përçarë dhe për këtë fajtor sipas tij është Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti.

Humolli në Pressing të T7, ka folur edhe për mos përfshirjen e veteranëve në Ligjin për Pagën Minimale.

Ai ka deklaruar se votimi i këtij projektligji pas publikimit të përgjimeve të shefes së grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ishte një mesazh që ata deputetë janë me Mimozën.

Sipas tij kjo ka qenë nënçmim për elektoratin, pasi thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur të tjera premtime gjatë fushatës.

“Sikur mos të ishin këta luftëtarë që nuk e dinë çka është lufta, çka është procesi politik. Unë mendoj që më pas trimërohet Serbia”, ka thënë ai.

Ja pse serbët i quajmë “shkije”(Fakte)

0

Tregu i librit shkencor ishte pasuruar me një studim të ri etnolinguistik: “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”, i Bardhyl Demirajt, nga Shtëpia botuese Naimi.

Ai studion emrin shqa me të cilin shqiptarët kanë emërtuar fqinjët sllavë qysh nga kontaktet e para me ta e deri në kohën tonë, kur ky emër ka mbetur tashmë në përdorim të ngushtë krahinor e madje nuk është përfshirë as në fjalorët e shqipes së sotme.

Autori kishte sjellë një material të përmbledhur dokumentar dhe të dhënat dialektore rreth përhapjes dhe përdorimit të këtij emri etnik, së bashku me çerdhen e tij leksikore në të gjitha trevat e shqipes, ku vihen re dukuri fonetike dialektore të vjetra, si ruajtja, përkatësisht zhvillimi i grupit bashkëtingëllor /kl/: shkla (arbërishte e Greqisë, e Italisë, e Ukrainës), shkjâ (geg. veriore), shqa (geg. jugore, tosk.), si dhe kuptime të ndryshme nëpër dialekte (“sllav i Jugut”; “malazez”; “serb”; “bullgar [= maqedonas]”; “sllav ortodoks”; “grek” te arvanitasit e Greqisë) ose në përdorime të kufizuara e të rralla (si p.sh. kuptimi “shërbëtor” në ndonjë shprehje popullore).

Një aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe hetimi i prejardhjes së fjalës, nëse është huazim nga greqishtja bizantine (Miklosich) apo latinishtja mesjetare (Meyer), ku mbështetet teza e latinishtes, edhe me një argument të ri të ndërtimit të trajtës së femërores së fjalës (shkinë, shqinë, shqirë, shklirë “sllave”) nga një bazë paradialektore e cila nuk mund të shpjegohet veçse si huazim nga latinishtja.

Studimi ndalet edhe në disa shndërrime kuptimore që ka pësuar emri shqa ndër shqiptarët në hapësirë dhe kohë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet përdorimit që ka fjala shkla në ngulimet arbërore në Greqi, ku emri etnik shënon fqinjët grekë dhe ndajfolja shklerisht gjuhën greke.

Pjesa përmbyllëse u kushtohet çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e brendshme të fjalës në shqipe, ku ndërthuren vështrimi gjuhësor-historik me atë etnolinguistik, hulumtimi i etnogjenezës së popullit shqiptar dhe i marrëdhënieve të tij me fqinjët sllavë.

Nga analiza e tufës së tipareve identifikuese që përmban shenjuesi shqa ndër shqiptarë vërehet se janë të njëjtat tipare, por të përkundërta, që karakterizojnë shqiptarët, duke u dalluar kështu si entitet etnik-kulturor i veçantë në Ballkan e në diasporën historike shqiptare.

Përfundimi i shtjellimeve thekson faktin se në kohën e dyndjeve sllave në Ballkan, nën rrezikun kërcënues të zhbërjes kulturore-etnike të gjithë Ballkanit, ishte ngjizur ndërkohë vetë etnogjeneza shqiptare, dhe se shënjuesi shqa ndër shqiptarë, qysh para shpërnguljeve arvanite drejt jugut të Greqisë, fitoi edhe kuptimin e “fqinjit joshqiptar” me të cilin shqiptarët e Greqisë emërtuan pastaj fqinjët grekë.