Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se politika që prej 12 vitesh qeveria e tanishme ishte dëmtuese për fermerët. Ai tha se qeveria e Ramës i hapi kufijtë prodhimit serb.
Ky sektor i jep vendit 90% të prodhimit të brendshëm. Ky sektor financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm. Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë. Dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serrat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen.
Por, kjo nuk ndodh sepse me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju. Pra, në qoftë se ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion. Ky është realiteti. Kjo është e vërteta!
Çfarë ndodh? Ndodh që ju nuk konkurroni dot në tregje, sepse ai e ka të subvencionuar çmimin, dhe fëmijët tuaj largohen për të ndërtuar ëndrrën e tyre, jo në Elbasan, jo në Shqipëri, po për ta ndërtuar në Itali, Greqi, dhe në vende tjera“ – tha Berisha