Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përshëndetur zyrtarisht lansimin e operacioneve të kompanisë teknologjike Wolt, një bashkëpunim amerikan-finlandez, në tregun e Kosovës. Wolt filloi aktivitetin e saj në janar të këtij viti dhe tashmë po jep kontribut të dukshëm në ekonominë lokale.
Sipas njoftimit të Ambasadës, Wolt ka krijuar një rrjet prej mbi 300 partnerësh biznesi, një ekip gjithnjë në rritje në Prishtinë dhe qindra korrierë aktivë që ofrojnë shërbime të shpejta dhe të përshtatshme për konsumatorët kosovarë. Përveç lehtësimit të jetës së përditshme, kompania po krijon mundësi të reja ekonomike fleksibile për shumë qytetarë.
“Ky është një shembull i fuqishëm se si kompanitë amerikane vazhdojnë të investojnë në të ardhmen e Kosovës — duke mbështetur sipërmarrjen, inovacionin dhe mirëqenien e përbashkët,” thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.
Ambasada gjithashtu shprehu mirëseardhjen për Wolt në Kosovë dhe inkurajoi kompanitë e tjera amerikane të ndjekin këtë shembull, duke kontribuar në ndërtimin e një ekonomie më të fuqishme, më të lidhur dhe më inovative në vend.
Wolt, i njohur për shërbimet e tij të avancuara të dërgesave nga gastronomia, tregtia dhe shërbimet e tjera, operon aktualisht në mbi 31 vende të botës dhe tashmë është bërë pjesë aktive e zhvillimit ekonomik të Kosovës.