Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me simpatizantë e banorë të Rajonit 2 në Vlorë bashkë me kandidatët për deputetë, Pirro Vengu, Damian Gjiknuri e Mjaftesa Sulaj. Në fjalën e tij Çuçi renditi pesë arsye përse Partia Socialiste meriton mbështetjen me votë në zgjedhjet e 11 majit.
“Vlora është shembulli më i gjallë i transformimit urban, ekonomik, shoqëror të një qyteti në këto pak vite qeverisje që në kemi qeverisur Shqipërinë. Kjo është arsyeja e parë pse duhet të votojmë Partinë Socialiste. Arsyeja e dytë për ato që ne do të bëjmë për Vlorën. Për vazhdimin e transformimit të Vlorës, për ta kthyer në një destinacion europian të padiskutueshëm dhe nga qendrat atraktive më të mëdha të Mesdheut. Në projektet më të mëdhaja vlen për t’u përmendur aeroporti i Vlorës, i cili do ta kthejë në një qytet me një aeroport ndërkombëtar, që do të sjellë një fluks të shtuar të turistëve të huaj, që ju e dini shumë mirë se çdo të thotë. Më shumë hotele, më shumë restorante, më shumë shërbime, më shumë ekonomi për Vlorën. Po kështu edhe portet që po bëhen. Porti këtu i Vlorës dhe i Orikumit. Të dyja këto do e transformojnë Vlorën më shumë se ç’është transformuar sepse do ta kthejmë në një destinacion ku do të kemi 365 ditë turizëm. Arsyeja e tretë pse duhet të votojmë socialistët, fatkeqësisht është oferta që na vjen nga opozita. Vetëm po ta mendoni që akoma përballë kemi Sali Berishën, nuk mund të bëjmë më asnjë koment. Vetëm kur e mendoni fytyrën e Sali Berishës na kujton makthin që i ka shkaktuar Vlorës dhe Shqipërisë. Dhe vjen akoma sot në 2025 për të kërkuar votën e vlonjatëve”, deklaroi Çuçi.