Nga aktiviteti “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri” , kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është bërë lider në rajon sa i përket dixhitalizimit të këtyre shërbimeve. Sipas kreut të qeverisë, nga viti 2020 janë dhënë 49 milionë shërbime nëpërmjet platformës e-Albania, ndërsa shtoi se vetëm shqiptarët që jetojnë jashtë, kanë kursyer 57 milionë euro me shërbimet që kanë marrë online.
Sipas kryeministrit, marrja e shërbimeve online kanë ulur ndjeshëm korrupsionin dhe radhët e gjata nëpër sportele.
“Prej vitit 2020, janë dhënë 49 mln shërbime. Parafytyroni 49 mln qëndrime në radhë, kontakte sy më sy e vesh më vesh me shtetin nëpër sportele. Ka pasur raste ku mundësia për të dalë të stresuar nga kontakti apo për të pasur ndjesinë e një dore që të futet në pantallona për lekë është mundësi reale. Të gjitha janë eliminuar bashkë me mortjen e korrupsionit endemik që ishte mortje që e persekutonte Shqipërinë në çdo sportel dhe hap. Nuk ekziston më. Ne kemi bërë audit ndërkombëtar të platformës për të kuptuar se çfarë ka prodhuar ky transformim. 620 mln euro të kursyera për qytetarët dhe bizneset vetëm nga ky transformim dhe nga asgjësimi i radhëve dhe kursimi i kohës. 1 miliardë km rrugëtim, vajtje ardhje njerëzish për të marrë dokumentet. Ose 25 mijë xhiro rreth tokës. Ata që jetojnë jashtë kanë kursyer 57 mln euro nga fakti që mund t’i marrin shërbimet nëpërmjet platformës dhe mund t’i marrin njësoj si këtu pa pasur nevojë të presin ditën kur të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.