Masat ndëshkuese të BE-së prekin edhe nivelin lokal, komunat kanë ngecur në realizimin e projekteve

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian për Kosovën, kanë prekur edhe nivelin lokal. Të paktën në dy komuna raportohet të ketë ngecje në zhvillimin e projekteve që janë paraparë të zhvillohen me paratë e programit “IPA 2023”. Ndaj Kosovës nuk janë hequr ende masat ndëshkuese, e komunat janë në pritje të vazhdimit të projekteve.

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) të aplikuara ndaj Kosovës, në aspektin ekonomik, u panë si goditje për vendin. Vetë BE-ja nuk tregon se sa është shuma e saktë që ka pezulluar nga fondet e saj, mirëpo insistonte se ato Kosova nuk i ka humbur dhe projektet mund të kthehen në rast të ndryshimit të sjelljes së Qeverisë së Kosovës dhe plotësimit të kërkesave të tyre për shtensionimin e situatës. E pavarësisht se Qeveria e Kosovës filloi plotësimin e kushteve të BE-së, masat ende s’janë hequr, shkruan Gazeta Express.

Se janë prekur nga këto masa kanë thënë edhe nga niveli lokal.

Kryetari i Hanit të Elezit,  Mehmet Ballazhi javën e kaluar tha për Kosovapress se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës e kanë pezulluar projektin që lidhet me trajtimin e lumit Lepenc.

Kjo pas anulimit të masave nga fondet IPA.

Për këtë çështje janë deklaruar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë për Express, se shumica e komunave nuk janë prekur nga pezullimi i këtyre fondeve.

“Masat e BE-së kanë të bëjnë me fondet e pezulluara të IPA (instrumenti i para aderimit), që çdo vit janë mbi 60  milionë dhe mbulojnë sektorë të ndryshëm përfshirë fusha të ndryshme të cilat janë në përgjegjësi të komunave. Aktualisht, në shumicën absolute të komunave nuk ka projekte të anuluara si pasojë e masave të BE-së”, tha ai për Express.

Sipas tij, ka fusha që janë prekur. Ai përmendi rastin e arsimit në Prizren. Ibrahimi tha se atje projektet arsimore janë në pritje dhe se nuk dihet nëse do të vazhdohet me realizimin e tyre.

“Megjithatë, nuk mund të thuhet se nuk ka dëm nga masat e BE-së në fushat ku komunat janë kompetente. Kryesisht mund të jenë agjencitë ndërkombëtare dhe organizatat e mëdha që veprojnë nëpër komuna me fondet e BE-së, p.sh në Prizren në fushën e arsimit. Agjencitë dhe organizatat të ndryshme kombëtare janë duke realizuar projekte të cilat mbulojnë edhe komunën e Prizrenit. Projektet arsimore në pritje, me të cilat pritet të bashkëpunojnë, tashmë i nënshtrohen edhe më tutje vazhdimit pritjes dhe nuk dihet nëse do të vazhdohet me realizimin e tyre”, deklaroi më tutje ai për Express.

Bashkimi Evropian kishte thënë se më 28 qershor kishte njoftuar zyrtarisht Kosovën për masat e ndërmarra ndaj saj pasi nuk ka ndihmuar në shtensionimin e situatës në komunat më veriore të Republikës. Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kosovës tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Pala kosovare ka nisur zbatimin e këtyre kërkesave, por megjithatë masat ndëshkuese ende nuk janë hequr./Express/

 

spot_img
Lajmet e fundit
Lajme të lidhura