Motoçiklisti që u përfshi të enjten në një aksident trafiku në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë, ndodhet akoma në gjendje të rëndë shëndetësore. Viktima po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa shoferi i veturës që e goditi është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi i dyshuar është M.Hakaj nga Peja, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Aksidenti ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së enjten, kur shoferi i veturës me targa vendore dyshohet se ka përplasur motoçiklistin, duke i shkaktuar kështu plagë serioze.
Përveç shoferit të motoçikletës, edhe pasagjerja ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes natën kur ndodhi aksidenti kanë dalë njësitet policore që kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sinjali mëson se për shkak të gjendjes së viktimës, gjatë ditës së djeshme, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor të shoferit të dyshuar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.